

Kombëtarja shqiptare e volejbollit për meshkuj rikthehet në European League pas 4 vitesh mungesë. Presidenti i FSHV-së, Z. Erlind Pëllumbi, prezantoi sot ekipin kombëtar dhe rrugëtimin e ri të Shqipërisë në këtë kompeticion të rëndësishëm europian.
Prezantimi nisi me një surprizë të këndshme, ku FSHV i uroi ditëlindjen trajnerit të Kombëtares, Z. Jani Melka, i cili do të vazhdojë të drejtojë ekipin kombëtar edhe për dy sezonet e ardhshme.
Presidenti Pëllumbi theksoi se objektivi kryesor mbetet përfaqësimi sa më dinjitoz i volejbollit shqiptar, rikthimi i besimit dhe synimi për kualifikim në finalet e Kampionatit Europian.
Trajneri Melka, i cili do të ketë në staf edhe asistentët Elton Tukseferi dhe Erin Sejati, u shpreh plot besim se forca e grupit dhe eksperienca e skuadrës do ta bëjnë Shqipërinë krenare në këtë rrugëtim.
Suksese Kombëtares!