

Federata Shqiptare e Volejbollit dhe Universiteti i Sporteve të Tiranës formalizuan bashkëpunimin e tyre përmes nënshkrimit të marrëveshjes midis Presidentit të FSHV Z. Erlind PËLLUMBI dhe Rektorit të UST Prof.Dr. Agron KASA .
Kjo marrëveshje synon forcimin e bashkëpunimit në organizimin e aktiviteteve sportive, si dhe në zhvillimin e veprimtarive trajnuese dhe kualifikuese, me fokus të veçantë në formimin e trajnerëve të përgatitjes fizike. Të dy institucionet do të kontribuojnë me kapacitetet infrastrukturore, bazën materiale dhe burimet njerëzore në dispozicion.
Qëllimi kryesor i këtij bashkëpunimi është përgatitja e sportistëve, trajnerëve dhe specialistëve me kualifikim të lartë, duke kontribuar në zhvillimin e qëndrueshëm të volejbollit në Shqipëri, në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe në një mjedis të sigurt e profesional.
Ky bashkëpunim shënon një hap të rëndësishëm drejt rritjes së cilësisë në sport dhe forcimit të lidhjes mes arsimit të lartë dhe praktikës profesionale.