

Pas 8 vitesh, grumbullohet sërish Kombëtarja e Femrave në volejboll. Në këtë grumbullim u prezantua edhe trajneri i ri i ekipit, italiani Nicola Coronelli.
Prezantimi u bë nga Presidenti i FSHV-së, z. Erlind Pëllumbi, në prani të kapitenes së Kombëtares, Erblira Bici.
Në fjalën e tij, Presidenti Pëllumbi u shpreh optimist për të ardhmen e ekipit, duke theksuar punën e rëndësishme që e pret Kombëtaren në vazhdim. Ai theksoi se synimi i parë është kalimi i fazës paraeliminatore, e cila do të zhvillohet në fund të muajit maj, për të siguruar më pas kualifikimin në fazën e grupeve. Objektivi madhor i Federatës mbetet pjesëmarrja në finalet e Kampionatit Europian 2030.
Gjithashtu, Presidenti i FSHV-së shprehu mirënjohjen dhe falënderimet për Federatën Italiane të Volejbollit për bashkëpunimin dhe mbështetjen e dhënë gjatë tre viteve të fundit.
Në fjalën e tij, trajneri i ri i Kombëtares shqiptare, Nicola Coronelli, u shpreh shumë i lumtur dhe krenar për këtë detyrë të re, duke theksuar se mbi të gjitha ndjen një përgjegjësi të madhe.
“Shpresoj të jap ndihmën time dhe së bashku të bëjmë më të mirën për këtë ekip”, u shpreh tekniku italian.
Krah Presidentit të FSHV-së ishte edhe kapitenia e Kombëtares, Erblira Bici, e cila u shpreh shumë entuziaste për rikthimin e ekipit kombëtar pas mungesës 8-vjeçare.
Ajo theksoi se shpreson të japë kontributin e saj për të ndihmuar të gjitha vajzat e grumbulluara në ekipin kombëtar dhe së bashku të arrijnë rezultate sa më të larta.