

Federata Shqiptare e Volejbollit, ne bashkëpunim me klubin italian Megabox, ka bërë të mundur që dy lojtare të ekipit tonë kombëtar, Irsa Metaj (Skënderbeu) dhe Najada Lamaj (Dinamo), të jenë pjesë e fazës përgatitore të këtij ekipi.
Kjo mundësi e veçantë u bë e mundur falë Erblira Bicit, kapitenes së ekipit tonë kombëtar, e cila vijon të jetë një urë e rëndësishme bashkëpunimi mes volejbollit shqiptar dhe atij italian.
Në vitin 2023, Bordi Drejtues i Federatës Shqiptare të Volejbollit i akordoi Erblira Bicit titullin “Ambasadore e Volejbollit Shqiptar në Itali”, në vlerësim të kontributit dhe përfaqësimit të saj të denjë të volejbollit shqiptar.
Megabox është klubi ku aktivizohet Erblira Bici, me të cilin ajo ka fituar edhe trofeun e rendesishem CEV Challenge Cup duke u cilesuar lojtarja me e mire.
Federata Shqiptare e Volejbollit shpreh mirënjohjen dhe falënderimin e saj për Klubin Megabox për këtë mundësi të krijuar për dy lojtaret tona.
Kjo eksperiencë do të jetë një vlerë e shtuar për Irsa Metajn dhe Najada Lamajn, jo vetëm për ekipet ku ato do të aktivizohen gjatë këtij sezoni, por edhe për Ekipin Kombëtar Shqiptar.
Federata Shqiptare e Volejbollit do te vazhdoj investimin te lojtaret e reja te cilat do te jene e ardhmja e Volejbollit Shqiptar!