
Kombëtarja shqiptare U20 zhvilloi ndeshjen e fundit në turneun ndërkombëtar stërvitor në Boario Terme, Itali, ku u përball me Club Italia del Nord, duke u mposhtur me rezultatin e ngushtë 3-2 (20-25, 25-19, 20-25, 25-19, 15-13).
Vajzat kuqezi zhvilluan një ndeshje me nivel të lartë, duke treguar karakter, cilësi dhe rivalitet deri në pikën e fundit. Gjatë gjithë turneut, ekipi përfitoi eksperiencë të vlefshme përballë kundërshtarëve cilësorë, duke shënuar një tjetër hap të rëndësishëm në përgatitjet për aktivitetet e ardhshme ndërkombëtare.
Në përfundim të turneut, Irsa Metanj u vlerësua si lojtarja më e mirë e Kombëtares shqiptare U20, një vlerësim që pasqyron paraqitjet e saj shumë të mira gjatë gjithë aktivitetit.
Ky turne u organizua në kuadër të bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet Federatës Shqiptare të Volejbollit dhe Federatës Italiane të Volejbollit, duke konfirmuar edhe një herë rëndësinë e këtij partneriteti në zhvillimin e volejbollit dhe të sportistëve të rinj.