Federata Shqiptare e Volejbollit në bashkëpunim të ngushte me Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar dhe me mbështetjen e Bashkisë Tiranë si dhe të Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, lançoi sot iniciativën e saj më të re, projektin “Luaj volejboll dhe rritu i shëndetshëm”. Ky projekt ka në thelb të tij organizimin e Kampionatit të Volejbollit ndërmjet shkollave 9-vjeçare të qytetit të Tiranës dhe promovimin e këtij sporti te fëmijët dhe të rinjtë.
Përmes kësaj iniciative FSHV-ja synon të kthejë traditën e volejbollit në shkollat 9-vjeçare, duke i ofruar të rinjve një stil jetese aktive e duke përmirësuar kushtet sociale dhe shëndetësore për ta. Projekti synon të përdorë sportin e volejbollit si një mjet për të stimuluar te të rinjtë frymën e miqësisë dhe ndershmërisë, të cilat çojnë drejt rritjes së qytetarëve të përgjegjshëm, duke nxitur kështu pjesëmarrjen e tyre aktive në të gjitha nivelet e jetës shoqërore.