Federata Shqiptare e Volejbollit do të vijojë edhe më tej bashkëpunimin me kompaninë e veshjeve sportive “Errea”, e cila prej dy vitesh pajis me uniforma sportive ekipet kombëtare për të rritur e të rritura të sportit të rrjetës. Përfaqësues të kompanisë “Errea” dhe të FSHV-së, në ambientet e hotel “Mondial” në Tiranë, zhvilluan një konferencë shtypi ku konfirmuan bashkëpunimin. Jo vetëm kaq, por u bë edhe një prezantim i materialeve sportive të kompanisë “Errea”, tashmë me synimin për t’u shtrirë dhe në sportet e tjera në vend.
Sekretari i përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Volejbollit, z.Albens Vokopola, rrëfen bashkëpunimin me “Errean”. “Ky bashkëpunim ka qenë shumë i frytshëm dhe mendoj se kemi bërë zgjedhjen e duhur, duke qenë se është dhe sponsori ynë zyrtar. Kemi nisur me kombëtaren e të rriturve dhe të rriturave, të cilat u prezantuan në aktivitetet ndërkombëtare dhe ky bashkëpunim do të vazhdojë”.
Ndërkohë, me uniformat e “Errea” ka luajtur kombëtarja e të rejave vitin e kaluar në finalet e Kampionatit Evropian, që u zhvillua në Tiranë e Durrës, por sivjet do të jetë dhe në përfaqësueset e tjera të rrjetës për mosha. Më tej, Vokopola shprehet: “Edhe kombëtarja e të rejave në finalet e Kampionatit Europian ka luajtur me fanellat e Erreas. Ne shpresojmë që ta shtrijmë dhe në kombëtaret e tjera të moshave, veçanërisht tek të rinjtë duke qenë se është dhe Kampionati Ballkanik në vendin tonë në prag”.
Duke mbetur në çështjen e marketingut për një rritje cilësore më shumë të volejbollit shqiptar, FSHV ka nisur dhe lidhjet me kompanitë e tjera, të cilat në vazhdim do të mund të bëhen dhe zyrtare. “Ajo që është e sigurtë është fakti se ne do të vazhdojmë bashkëpunimin me “Errea”, kjo dhe mbi bazën e kontratës që kemi. Kemi nisur kontaktet me kompani të tjera, të paktën me “Mikasa” për këpucët sportive, duke shpresuar se do të bëhen dhe ato sponsor zyrtar. Do të shohim, por bashkëpunimi me “Errea” do të vijojë”.
Karlo Stronati, përfaqësuesi i “Errea” në Tiranë, tregon politikën e kësaj kompanie, e cila është me një moshë 30-vjeçare, ndërsa qëllimi është zhvillimi i sportit në vendet e vogla. “Bashkëpunimi me Federatën Shqiptare të Volejbollit ka lindur përpara dy vjetësh dhe ne jemi të kënaqur deri më tani. Objektivi i kompanisë është zhvillimi i Federatave sportive të vogla e ndër 20 shtete të përzgjedhura nga kompania është dhe Shqipëria. Shembulli më konkret është Islanda në futboll, që deri përpara 14 vjetësh ka qenë e vogël. Nëpërmjet projekteve të Federatës së Futbollit të Islandës kjo skuadër u rrit dhe e kemi parë që me veshjet tona ishte në Evropian dhe në Botëror. Ky është qëllimi jonë dhe në Shqipëri”.
E ndërkohë, Stronati, teksa në takim ishin dhe përfaqësues të Federatës Shqiptare të Futbollit, apo dhe të Atletikës, shto dhe presidentin e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, kërkon që “Errea” do të jetë dhe në disiplinat e tjera sportive në vend. “Ne kemi bërë tentativa për të pajisur me veshjet tona sportive disa ekipe futbolli në vendin tuaj, apo dhe një ekip basketbolli. Sigurisht që janë tratativa në zhvillim. Unë jam këtu 3-4 javë për të bindur klientët për veshjet tona sportive. Besoj se do t’ia arrijmë qëllimit”.