
Presidenti i Federatës Shqiptare të Volejbollit, z. Erlind Pëllumbi, dhe Sekretari i Përgjithshëm, z. Ervis Dosti, zhvilluan një takim me Drejtorin e Kulturës dhe Sporteve në Bashkinë Elbasan, z. Artin Kovaçi, për organizimin e Kupës “Pavarësia”.
“Elbasani është një qytet simbol i volejbollit shqiptar. Së bashku me ju, dëshirojmë të rikthejmë traditën e këtij sporti në qytet”, u shpreh presidenti Pëllumbi.
Nga ana e tij, z. Kovaçi falënderoi FSHV-në për mbështetjen që i jep volejbollit në Elbasan dhe vlerësoi besimin e dhënë për organizimin e një aktiviteti kaq të rëndësishëm mbarëkombëtar.
Kupa “Pavarësia” do të organizohet nga FSHV-ja dhe Bashkia Elbasan, me pjesëmarrjen e ekipeve nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut (Tetova).
Ky aktivitet ngre siparin e një periudhe të rëndësishme për sportin në Elbasan, në prag të vitit 2027, kur qyteti do të mbajë titullin “Qyteti Europian i Sportit”.