Shqipëria i është bashkuar listës së gjatë të vendeve që kanë nisur projektin e Federatës Europiane të Volejbollit (CEV), “Luaj volejboll, rritu me të”. Në Luksemburg, për të firmosur këtë marrëveshje, kanë qenë presidenti i Federatës Shqiptare të Volejbollit, z.Erlind Pëllumbi dhe sekretari i përgjithshëm i FSHV-së, z.Albens Vokopola. Ata janë takuar dhe kanë firmosur marrëveshjen bashkë me presidentin e CEV, z.Aleksandar Boricic.
“Ne kemi diskutuar prej kohësh për aplikimin e këtij projekti në vendin tonë, duke patur takime me përfaqësuesit lokalë në shumë qytete në Shqipëri. Ata kanë rënë dakord dhe të përfshijnë në këtë projekt shkollat e tyre. Qëllimi është të përfshijmë sa më shumë fëmijë. Ne shohim me optimizëm përpara, për zhvillimin e gjeneratës së re të lojtarëve të volejbollit në Shqipëri”, tha z.Pëllumbi.
“Ne kemi bashkuar forcat edhe me Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar për të arritur këtë qëllim ambicioz. Ne duam ta zhvillojmë këtë projekt në komunitetet që kanë patur traditë në këtë sport, por edhe në ato që duan ta përkrahin këtë nismë. Ne kemi një trashëgimi të çmuar të këtij sporti në vendin tonë, që do të shërbejë si një shtysë për të rritur gjeneratën e re të lojtarëve të volejbollit”, u shpreh presidenti i FSHV-së.
Edhe presidenti i CEV, z.Boricic, foli me superlativa për punën e bërë nga FSHV-ja. “ Falë udhëzimeve tona dhe vizionit tuaj si drejtues të volejbollit shqiptar, ky sport është rritur jashtëzakonisht shumë gjatë viteve të fundit. Ju bëtë një hap të madh përpara sidomos kur organizuat finalet e Kampionatit Evropian për vajza, U-19, një vit më parë. Ndërsa tani, me ndihmën e Projektit Shkollor, ne kemi besim se mund të rrisni yjet e ardhshëm të volejbollit shqiptar”.
Projekti i CEV-it për zhvillimin e volejbollit në shkolla aktualisht adaptohet me sukses në shumë shtete si Armenia, Bosnje-Herzegovina, Kroaci, Qipro, Denimarkë, Estoni, Ishujt Faroe, Finlandë, Groenlandë, Irlandë, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Irlanda e Veriut, Skoci, Sllovaki dhe Slloveni.