

Si çdo vit, përpara fillimit të sezonit të ri sportiv, Federata Shqiptare e Volejbollit organizoi takimin tradicional me trupën gjykuese. Ky takim, tashmë i kthyer në një traditë të qëndrueshme, kishte në fokus përgatitjen dhe unifikimin e gjyqtarëve përpara sfidave që sjell një sezon i gjatë dhe i ngjeshur si ky që nis me Kupën e FSHV.
Takimin e hapi Sekretari i Përgjithshëm i FSHV-së, z. Ervis Dosti, i cili falenderoi gjyqtarët për impenjimin dhe gatishmërinë e treguar në çdo aktivitet sportiv, duke theksuar se profesionalizmi i tyre është një shtyllë e rëndësishme për mbarëvajtjen e volejbollit shqiptar.
Më pas, Zv. Presidenti i FSHV-së, z. Konalsi Gjoka, foli mbi rëndësinë e zbatimit të rregullores dhe disiplinës gjatë ndeshjeve, duke theksuar nevojën që gjyqtarët të jenë të unifikuar dhe të saktë në vendimmarrje. Ai gjithashtu vuri në dukje ndryshimet që janë bërë në rregullore dhe mënyrën se si ato do të reflektohen në lojë.
Ndërkohë, gjyqtari ndërkombëtar Endri Zguri prezantoi në detaje risitë dhe ndryshimet më të fundit të rregullave të volejbollit, duke sjellë shembuj konkretë nga praktika ndërkombëtare. Ky prezantim u shoqërua me diskutime dhe pyetje nga gjyqtarët, të cilët patën mundësi të sqarojnë situata të ndryshme që mund të shfaqen gjatë sezonit.
Takimi u mbyll me foton e përbashkët të gjithë trupës gjykuese, si simbol i unitetit dhe përgatitjes për një sezon të ri plot emocione.