Në Stamboll të Turqisë u zhvillua sot (3 maj) mbledhja teknike e Federatës Ballkanike të Volejbollit (BVA), ku u hodhën piketat për aktivitetet që do të zhvillohen më ekipet kombetare të moshave gjatë këtij sezoni veror. Të pranishëm në këtë mbledhje ishin përfaqësuesit e të gjitha Federatave që aderojnë në BVA, përfshi edhe Federatën Shqiptare të Volejbollit, e cila përfaqësohej nga sekretari i përgjithshëm, z.Albens Vokopola.
Gjatë mbledhjes u diskutua për eventet Ballkanike që do të zhvillohen gjatë muajve qershor-shtator 2019, në të cilat do të marrë pjesë edhe Shqipëria. Jo vetëm kaq, por FSHV do të jetë organizatore e Kampionatit Ballkanik U-20 për djem (datëlindja 1 janar 1999 dhe me pas), turne që do të zhvillohet më datat 24-28 qershor. Qyteti do të përcaktohet në vijim. Në Ballkaniadën që do të organizohet në vendin tonë do të marrin pjesë 9 skuadra, të ndara në tri grupe me nga 3 skuadra secila:
Grupi A: Shqipëria, Mali i Zi, Bosnje-Herzegovinë
Grupi B: Serbia, Turqia, Maqedonia
Grupi C: Rumania, Greqia, Kosova
Ndërkohë, volejbolli shqiptar do të përfaqësohet edhe në disa evente të tjera që do të zhvillohen gjatë kësaj vere me ekipet e moshave. Shqipëria do të luajë në Ballkaniadën U-18 për djem, turne që do të zhvillohet në Kosovë në datat 6-10 korrik (shorti nuk është ende zyrtar).
Gjithashtu, Shqipëria do të përfaqësohet me kombëtaren U-17 për vajza, në Ballkaniadën që do të zhvillohet në Bosnje-Herzegovinë, në datat 20-24 gusht. Shqipëria ndodhet në Grupin B, së bashku me Malin e Zi dhe Serbinë.
Shqipëria do të përfaqësohet me ekipet e fëmijëve edhe në eventin “Kids Festival”, që do të zhvillohet në datën 1 qershor, në Novi Sad të Serbisë si dhe në Kampionatet Ballkanike të Beach-Volley për U-20 dhe U-22 (M & F) që do të zhvillohen në Kosovë.