Federata Shqiptare e Volejbollit në bashkëpunim me trajnerin italian Luca Secchi, zhvilloi një seminar me trajnerët e të gjitha skuadrave dhe grupmoshave të ndryshme në vendin tonë. Seminari, teorik dhe praktik, u zhvillua në kryeqytet, në mjediset e Parkut Olimpik për 4 ditë. Seminari i organizuar nga FSHV dhe drejtuar nga trajneri i kombëtares së femrave në volejboll kishte si qëllim përcaktimin më të mirë të punës së trajnerëve për çdo rol si dhe evidentimin e talenteve dhe pozicionit të duhur të lojtareve të reja.
Për këtë arsye, stërvitja u zhvillua e veçantë për secilin nga pozicionet: një ditë për organizatorët, një dite për lojtaret qendra dhe një ditë për sulmueset. Në fund, seminari u fokusua në mënyrën e evidentimit të talenteve dhe në përcaktimin e rolit të duhur të lojtareve si dhe vijoi me mënyrën se si të ndërtohet një seancë stërvitore ditore dhe njëjavore.
Seminari u ndoq me shumë interes nga mjaft trajnerë të ekipeve të të rriturve dhe te moshave, te cilet patën mundësi të marrin informacionet bashkëkohore të trajnimit në botë. FSHV falënderon trajnerin e kombëtares Secchi, të gjithë stafin e saj si edhe të pranishmit gjatë këtyre ditëve të seminarit.
Ndërkohë, trajneri Secchi vijon punën e tij me ekipin kombëtar të femrave në volejboll, që do të marrë pjesë në një turne miqësor që do të zhvillohet në Slloveni më datat 20-27 qershor. Stërvitja me volejbollistet kandidate të ekipit kuqezi vijon me intensitet.