Federata Shqiptare e Volejbollit në bashkëpunim me Konfederatën Europiane të Volejbollit (CEV) rifillon aktivitetet për "School Project" ku në fokus është planifikimi i aktiviteteve që do të zhvillohen në kuadër të projektit gjatë gjithë vitit shkollor.
Federata Shqiptare e Volejbollit (FSHV) është përsëri në bashkëpunim të ngushtë me Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH) në projektin e "Ekipet Sportive në shkolla".
Vitin e kaluar, projekti u fokusua kryesisht tek fëmijët e shkollave të ciklit të ulët dhe të mesme, ku përfshiu një numër të madh fëmijësh dhe mësuesish në shumë qytete në të gjithë Shqipërinë.
Me fillimin e vitit shkollor, FSHV dhe KOKSH po punojnë për ngritjen e ekipeve shkollore në të gjithë vendin dhe pritet të startojnë stërvitjet gjatë të cilave duhet të zbatojnë një plan stërvitor të ofruar nga Federata Shqiptare e Volejbollit. Të gjitha ekipet në fund të vitit shkollor do të marrin pjesë në ndeshjet eleminatore të qarqeve respektive dhe ekipet finaliste të secilit qark do të ndeshen ndërmjet tyre për të pretenduar titullin kampion.
Në vitin e dytë të projektit, FSHV dhe KOKSH kanë përfshirë në projekt edhe fëmijët e shkollave fillore ( U-8 dhe U-10), të cilët do të marrin pjesë në festivalet e fëmijëve që do të zhvillohen disa herë gjatë vitit, duke konsoliduar kështu themelet për një të ardhme të sukseshme të volejbollit.
Organizatorët janë të sigurt se numri i fëmijëve dhe mësuesve të përfshirë në Projektin e Shkollës CEV do të tejkalojë tashmë shifrën inkurajuese të vitit të kaluar!
Federata Ballkanike e Volejbollit (BVA) i ka kushtuar një artikull rifillimit të aktiviteteve të Projektit të CEV “School Volleyball” në Shqipëri.